Rajwantee Lakshman-Lepain, Tiranë, 1996 Refo Çapari, Bahá'í i parë shqiptar Refo Çapari u ka lënë brezave të mëvonshëm kujtimin e një njeriu të talentuar e me bindje, siç dëshmojnë angazhimet e tij politike dhe prodhimi i tij letrar, të përshkruara në krerët e mëparshëm. Pasuria e këtij personaliteti nuk përfundon me kaq. Refo Çapari ishte gjithashtu njeri me zemër e me besë, që ka lënë gjurmë të thella në rrethin e tij. Tepër i angazhuar në Islamin sunit nga tradita e tij familiare, Refo Çapari përjetoi në pjesën e dytë të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku emigroi, një revolucion shpirtëror, që e çoi nga Muhameti te Bahá'u'lláh-u, themeluesi i Besimit Bahá'í. Aderimi në këtë fe të re, të përhapur gjerësisht në Botën e Re në fillim të shekullit, e mahniti atë deri në atë shkallë, sa nga një veprimtar mysliman e një ideolog u bë një Bahá'í i zjarrtë dhe vendosi të heqë dorë nga ëndrra amerikane, për t'iu kushtuar besimit të tij të ri. Refo Çapari u kthye në Shqipëri për të mbjellur farën e këtij besimi të ri në atdheun e tij. Ai u bë kështu si i Pari Shqiptar në Histori që besoi te Bahá'u'lláh-u, një titull ky që në analet e Besimit Bahá'í u atribuohet Bahá'í-ve që kanë kryer shërbime për Bahá'u'lláh-un, dhe jo në mënyrë të detyruar, sepse ata janë të parët në vendet e veta. Refo Çapari i shërbeu Kauzës së Perëndisë deri në shterrimin e forcave të fundit dhe vendosi të vdesë në vendin e tij, kur gjëmonte Lufta e Dytë Botërore dhe familja e tij kishte ikur për t'u strehuar në Kosovë, duke e lënë vetëm e të sëmurë. Ishte akti i fudit i dashurisë, që Refo Çapari deshi t'u lërë bashkatdhetarëve shqiptarë dhe shokëve të tij të një feje. Rruga shpirtërore Nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, Amerika tërhiqte shumë shqiptarë, që dëshironin të ndërtonin një të ardhme më të mirë, larg një atdheu kaotik e në luftë. Këta breza emigrantësh shqiptarë vinin më shpesh nga jugu i Shqipërisë dhe i përkisnin një elite veçanërisht të shkolluar. Në gjirin e saj Refo Çapari, i lindur në Margallëç, një zonë që u bë greke më 1913, duke ngjallur një pakënaqësi të madhe midis shqiptarëve të jugut, diti shumë shpejt të gjejë vendin e tij e të bëhet i njohur. Një solidaritet klanesh e politik e lidhte me sivëllezërit e tij shqiptarë. I nisur ndoshta nga viti 1915, ai duhet të jetë vendosur në Uoterbëri [Waterbury] në Kënektikat [Connecticut], ku ishte vendosur tashmë një koloni e madhe shqiptare prej katër mijë vetësh. Kjo ishte integruar në shoqërinë amerikane dhe merrej me profesione e zeje të ndryshme. Dentistë, avokatë, floktarë shqiptarë, të gjitha shërbimet ishin të miratuara me plebishit pranë kolonisë përmes organeve të saj të informacionit. Të fesë së krishterë ose myslimane, shqiptarët jetonin në komunitet. Ata kishin kalendarin e vet të veprimtarive politike e fetare, në të cilat të gjithë ishin të ftuar të merrnin pjesë. Personalitete energjike si Refo Çapari përbënin majanë e elitës intelektuale. Feja luante një rol të rëndësishëm në jetën e këtyre shqiptarëve të shpërngulur. Sinkretizmi1, që ka karakterizuar gjithmonë fetarinë shqiptare, ishte edhe këtu. Megjithëse të besimeve të ndryshme, shqiptarët takoheshin në ditët e festës si Bajrami ose festa e Ramazanit. Informacioni qarkullonte me lehtësi falë revistave të shumta shqiptare që botoheshin në atë kohë, të cilat siguronin bashkimin e grupit. Refo Çapari ishte edhe ai vetë botuesi i vlerësuar i revistës "Përparimi", në të cilën zhvilloi aty nga viti 1918 një rubrikë të titulluar "Feja". Mysliman sunit e besimtar i zjarrtë, Refoja kishte ruajtur shprehitë e tij të mira fetare, të fituara në një familje besimtare të Çamërisë, dhe i kishte mbajtur ato në vitet e para të rinisë së tij në Stamboll. Me bashkëfetarët e tij, ai themeloi një shoqatë myslimane shqiptare2, në krye të së cilës ai u zgjodh si kryetar më 1918. (Kjo shoqatë kishte edhe objektiva politike). Refo Çapari jetonte në një atmosferë të veçantë, ku idealizmi mysliman bashkohej me idealizmin politik nacionalist, që përhapej në komunitetin shqiptar nga elementët më aktivë. Refoja ose ka pasur ndonjë shqetësim, ose u prish me shokët e tij, nuk ka për t'u marrë vesh kurrë se ç'e shtyu atë shumë shpejt pasi qe emëruar në krye të shoqatës që të japë dorëheqjen një ditë të 14 prillit 1918. Nisja e tij me ngut, megjithatë, nuk i la as indiferentë e as të hidhëruar bashkëpunëtorët e tij, të cilët njoftonin në revistë se akti i dorëheqjes kish zgjatur gjithsej 15 minuta. Refo Çapari po kalonte padyshim një krizë shpirtërore e morale. Idealet e tij të kaluara po e linin. Takimi me Besimin Bahá'í Është vështirë të thuhet se ç'ka ndodhur me Refo Çaparin midis viteve 1918 dhe 1926, sepse disponohen pak elemente biografike për këtë. Megjithatë, pikërisht gjatë këtyre viteve Refoja erdhi në kontakt me Besimin Bahá'í, sepse në një letër që i dërgonte më vonë Kryetarit të Komunitetit Bahá'í deklaronte se në vitin 1926 kishte filluar të përkthente në shqip libra Bahá'í. Besimi Bahá'í është një fe pak e njohur për shkak të numrit ende të vogël të besnikëve të saj (5 deri 6 milionë në botën e sotme), si dhe për shkak të propagandës anti-Bahá'í, objekt i së cilës ai ishte (dhe vazhdon të jetë) nga ana e ekstremistëve myslimanë. E megjithatë, kjo fe meriton të tërheqë më shumë mbi vete prozhektorët, duke marrë parasysh pasurinë e mësimeve të saj shpirtërore, si dhe karakterin modern e origjinal të parimeve të saj. Fe monoteiste dhe e reveluar, ajo u themelua nga Bahá'u'lláh-u në Persi (Irani i tanishëm) në shekullin XIX. Edhe pse ka lindur në një vend shiit, Besimi Bahá'í nuk është më pak i pavarur nga Islami. Bahá'u'lláh-u, emri i të cilit do të thotë "Lavdia e Perëndisë", në kujtim të profecisë së Krishtit se Ai do të kthehej "në lavdinë e Atit", vinte nga një familje persiane të lidhur me oborrin e Shahut. Burime historike të vërtetuara tregojnë se Ai rridhte nga profeti Zoroastër dhe nga mbretërit e dinastisë Sasanide të Persisë, si dhe nga Abrahami përmes gruas së Tij të tretë Katurah. Kur ishte fëmijë, ai nuk ka ndjekur asnjëherë shkollat e djemve të asaj kohe, por ishte i pajisur me dije hyjnore e të lindura, që e shquan shumë shpejt nga njerëzit e tjerë. Duke refuzuar të pranonte një pozitë sociale të rëndësishme që i ishte ofruar, Ai thoshte se është Lajmëtari i dërguar nga Perëndia për epokën tonë. Për në tepër, thoshte se me ardhjen e Tij përmbushte profecitë e Shkrimeve të shenjta të të gjitha feve të mëdha, si Krishtërimi, për "kthimin e Krishtit në mbarim të kohëve". Mesazhi i Tij u drejtohej të gjithë njerëzve, cilido qoftë besimi i tyre fetar. Qëllimi i Tij ishte të bashkojë të gjithë popujt e tokës në një besim të përbashkët, për të zhdukur të gjitha mospajtimet fetare ose etnike, të cilat shpesh i kundërvënë ata në mënyrë të përgjakshme. Përmes këtij bashkimi të bërë mbi bazën e vlerave të reja shpirtërore e të ligjeve moderne të dhëna nga Bahá'u'lláh-u, ky Manifestim i Perëndisë synon t'i sjellë njerëzimit paqen botërore aq të kërkuar e të premtuar nga Lajmëtarët e së kaluarës, pasardhës i të cilëve Ai është. Nga ky bashkim do të dalë një shoqëri më e drejtë, e cila do t'i lejojë njerëzimit dhe njeriut të ngjitet në shkallë arritjesh intelektuale e shpirtërore të panjohura asnjëherë më parë, për të cilat njeriu është krijuar. Bahá'u'lláh-u, ashtu siç ka ndodhur shpesh me Lajmëtarët e Perëndisë në të kaluarën, shpejt iu nënshtrua përndjekjeve nga ana e autoriteteve civile e fetare për shkak të qëndrimeve të Tij. Para Tij, pararendësi e lajmëtari i Perëndisë, Báb-i (Porta), që pat ardhur për të përgatitur rrugën për Të më 1844, u ekzekutua dhe mbi njëzet mijë nga besnikët e Tij u vranë përmes vuajtjesh të tmerrshme. Bahá'u'lláh-un, pushtetit të të cilit dhe ndikimit në rritje të personaliteit e të Mësimeve të Tij mbi masat i trembeshin ulematë, e burgosën dhe e dënuan të kalonte një jetë syrgjyni që vazhdoi dyzet vjet. Nga Persia Ai shkoi në Irak, pastaj u bë i burgosur i perandorisë otomane, që ishte rivale e Persisë. Nga Konstantinopoja shkoi në Adrianopojë, ku për herë të parë shpalli publikisht më 1863 Misionin e Tij. Më pas Ai u burgos në fortesën-burg të tmerrshme të Akka-së (në Palestinë), të cilën as topat e Napoleonit nuk kishin mundur ta shembnin. Ai vdiq në këtë tokë të shenjtë më 1892, duke përmbushur një profeci të Shkrimeve të shenjta, ku thuhej se Lajmëtari i Perëndisë që do të vinte do të vendoste një këmbë mbi tokën evropiane dhe do të kthehej në Palestinë. Me vdekjen e Tij, djali i Tij 'Abdu'l-Bahá-i (Shërbëtori i Perëndisë), të cilin Ai e kish caktuar me testament si Qendrën e Besëlidhjes, interpretuesin e vetëm të autorizuar të Shkrimeve të Tij dhe si Shembullin e Përsosur të Mësimeve të Tij, filloi ta çonte Mesazhin e Atit të Tij në Perëndim, pas lirimit të Tij më 1908 nën goditjen e revolucionit xhonturk. Më 1912, pasi refuzoi të udhëtonte me Titanikun, Ai vajti në Shtetet e Bashkuara, ku përhapi idetë e Bahá'u'lláh-ut për herë të parë në Perëndim. Bahá'í i parë perëndimor që përqafoi këtë revelacion të ardhur nga Lindja qe një amerikan i quajtur Tortën Çeis [Thornton Chase]. Besimi Bahá'í u përhap me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara nën shtytjen e Bahá'í-ve amerikanë, të bindur nga Mesazhi i Bahá'u'lláh-ut dhe të frymëzuar nga personaliteti karizmatik i 'Abdu'l-Bahá-it. Refoja nuk e njohu kurrë Atë, megjithëse mund edhe ta kish njohur, sepse 'Abdu'l-Bahá-i u shua më 1921, duke ia lënë pishtarin nipit të vet Shoghi Effendiut. Statusi i Shoghi Effendiut ishte i ndryshëm nga ai i gjyshit të tij. Ai ishte caktuar si Ruajtësi i "Kauzës" Bahá'í. Ndërsa 'Abdu'l-Bahá-i kishte planifikuar përhapjen e Besimit Bahá'í në botë përmes Tabelave Hyjnore të Tij, në të cilat i inkurajonte Bahá'í-të ta çonin Mesazhin e Bahá'u'lláh-ut deri në Mal të Zi, Rumani e Serbi (por ende jo në Shqipëri, që do të hapej gjatë periudhës së detyrës së Ruajtësit), Shoghi Effendiu siguroi me zell zhvillimin e institucioneve të Besimit Bahá'í dhe të Rendit Administrativ të parashikuar nga Bahá'u'lláh-u. Komunitetet Bahá'í u forcuan dhe të pesë kontinentet u pushtuan me shpejtësi nga Besimi Bahá'í. Refo Çapari dhe Shoghi Effendiu Shoghi Effendiu, Ruajtësi i Besimit Bahá'í, mori një rëndësi shumë të madhe në jetën e Refo Çaparit, deri në atë shkallë sa ky nuk qe më kurrë i njëjti njeri. Se kush i foli Refo Çaparit për herë parë për Besimin Bahá'í dhe cili qe reagimi i tij, kjo padyshim s'ka për t'u ditur kurrë. Bahá'í-të amerikanë, të gjallëruar nga Mesazhi i 'Abdu'l-Bahá-it, ishin shumë aktivë e të përhapur në mjaft qytete, duke përfshirë Nju-Jorkun, ku Refoja jetoi në pjesën e fundit të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara. Padyshim, pikërisht në këtë qytet ai takoi Bahá'í-të. Mbetet fakt që më 5 korrik 1928, nuk dihet se në ç'rrethana, Refo Çapari në një letër drejtuar Shoghi Effendiut, Kryetarit të Komunitetit Bahá'í, e njofton atë për aderimin e tij në Besimin Bahá'í. Deklarimi i tij shënoi fillimin e një jete të re për Refo Çaparin dhe sidomos i dha ekzistencës së tij një kuptim që ai besonte se e kish gjetur në veprimtaritë e tij nacionaliste ndaj atdheut të vet e në shoqatën e tij fetare myslimane. Duke u bërë Bahá'í, ai nuk e mohonte në asgjë besimin e tij të vjetër. Në të kundërtën, kjo e çonte në një arritje më të madhe, duke qenë se Bahá'u'lláh-u ishte kthimi i Krishtit sipas konceptit të myslimanët sunitë. Ndërsa myslimanët thonë se Muhameti është "vula e profetëve" dhe se pas Tij "duart e Perëndisë janë të lidhura", Bahá'u'lláh-u shpjegon se kjo fjalë do të thotë vetëm që cikli profetik që filloi me Adamin merrte fund me Muhametin dhe që me Bahá'u'lláh-un fillonte një cikël i ri, ai i përmbushjes, i cili do të vazhdojë edhe më gjatë se i mëparshmi. Pasi Refo Çapari u bë Bahá'í, u vendos një lidhje e ngushtë e tij me Shoghi Effendiun, një njeri me të cilin ai kishte shumë afrí dhe për të cilin ushqente një dashuri të pafund. Shoghi Effendiu, përveç që ishte një djalë i ri modest e i dashur, ishte edhe shumë i ditur. Ai kishte kryer studimet në Londër, në Oksford. Zotëronte arabishten, persishten dhe anglishten. Gjuha persiane ishte një ndër pikat e përbashkëta midis Shoghi Effendiut dhe Refos, i cili e fliste këtë gjuhë si shumë shqiptarë të asaj epoke ende nën ndikimin kulturor të perandorisë otomane. Njohja e persishtes i lejoi atij t'u futet në gjuhën origjinale Shkrimeve të Bahá'u'lláh-ut, asnjë përkthim i të cilave nuk mund të japë plotësisht bukurinë dhe thellësinë e tyre. Ruajtësi i Besimit ishte një vegimtar, që kishte një njohje intuitive e hyjnore për fatet e njerëzimit dhe për rreziqet që e prisnin. Ishte një personazh tërheqës, i butë, një punonjës i palodhur e tepër i vetëdijshëm për madhështinë dhe vështirësinë e detyrës së tij. Padyshim janë pikërisht këto veti që kanë ndikuar për t'u afruar me Refo Çaparin, deri në atë pikë saqë ky i fundit përpiqej gjithmonë t'i shërbente sa më besnikërisht Shoghi Effendiut. Që nga koha e deklarimit të tij, Refoja mbajti një letërkëmbim të ngushtë me Ruajtësin. Pikërisht falë letrave të shkëmbyera midis tyre (35 letra midis viteve 1928 e 1940), ne mund të njohin disa elemente të biografisë së Refo Çaparit. Refo Çapari ushqente një respekt të thellë për Shoghi Effendiun sidomos mbas vizitës së tij në Tokën e Shenjtë dhe takimit me të në vitin 1933. Në një libër Bahá'í të përkthyer në shqip, Refoja shkroi një dedikim për Shoghi Effendiun, ku thuhej: "Shenjtërisë së Tij Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë nga shërbëtori i tij i përunjur, u bëftë fli shpirti im për të Dashurit e Tij". Siç mund të gjykohet nga këto radhë, ai i ishte shumë besnik Shoghi Effendiut dhe, që nga aderimi në Besimin Bahá'í e derisa ndërroi jetë më 1944, e mbajti atë gjithnjë në korrent për shërbimet që i bënte Kauzës. Refo Çapari kishte kuptuar rëndësinë tepër të madhe të Mesazhit të Bahá'u'lláh-ut për njerëzimin e sëmurë. Ai kuptonte nevojën imperative për ta përhapur atë, pasi vetëm një Mjek hyjnor mund të diagnostikonte sëmundjen dhe të rekomandonte "ilaçin"3 e duhur. Me ilaçin e duhur nënkuptohen Mësimet e Bahá'u'lláh-ut, që duheshin bërë të njohura me çdo kusht. Bahá'u'lláh-u ka shkruar lidhur me këtë: "Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe siguria e tij janë të paarritshme, në qoftë se e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të patundur uniteti i saj. Ky unitet nuk mund të arrihet kurrë sakohë do të lejohet që këshillat e reveluara prej Penës së Më të Lartit të kalojnë pa u vënë re"4. Refo Çapari kish njohur luftimet në vendlindjen e tij Çamërinë, të nënshtruar prej trupave greke, që e kishin bërë të ikte, kish njohur luftërat ballkanike, Luftën e Parë Botërore që shkaktoi miliona të vdekur, nga e cila në atë kohë madje edhe vendeve të industrializuara u merrej fryma. Shtetet e Bashkuara, model i kapitalizmit perëndimor e i arritjeve të tij, po shkonin hap pas hapi drejt një krize ekonomike të thellë dhe rënia e 1929-s e shkaktuar prej saj do të shënonte fillimin e një epoke vuajtjesh për amerikanët. Bahá'u'lláh-u, si arkitekt i planit hyjnor dhe si mjek i një njerëzimi gjithnjë e më të sëmurë në momentin e përmbysjeve të mëdha shoqërore, politike e teknike të shekujve XIX e XX, paralajmëroi botën dhe Krerët e saj se rruga e paqes ishte e pashmangshme, qoftë si rezultat i një marrëveshjeje të përbashkët midis kombeve të botës, ose i forcës përmes dhunës së ngjarjeve pa precedent, që do të shënojnë historinë dhe do të shkaktojnë vajtimin e njerëzve. Refo Çapari kuptoi, pra, se politika vetëm mund t'i përçante njerëzit dhe ishte një humbje kohe, sepse mbante parasysh vetëm simptomat dhe jo shkakun e së keqes. Kështu, ai pushoi së qëni i angazhuar politikisht në luftën nacionaliste të bashkëqytetarëve të tij emigrantë. Ai nuk shkroi më në këtë fushë. Penën dhe talentin e tij ai donte ta vinte në shërbim të Besimit. Historia e pabesueshme e shqiptarit të parë që aderoi në Besimin Bahá'í: Osman Kadaja Refo Çaparit iu poq mendimi të kthehej në Shqipëri, vendlindjen e tij, dhe të vendosej aty për të përhapur Mesazhin Bahá'í. A e mori ai këtë vendim vetë apo u ndikua nga rrethana të caktuara, sipas kërkimeve të fundit që po bëhen duket se versioni i dytë është më i mundshmi. Shoghi Effendiu dhe Bahá'í-të amerikanë ishin, në fakt, në dijeni se ekzistonte një tjetër Bahá'í shqiptar, që jetonte në Tiranë. Ai quhej Osman Kadaja. Është krejt e rastit që u zbulua ky njeri, i cili sot është 93 vjeç, dhe historia e tij e pabesueshme. Osman Kadaja ishte një shqiptar nga Preza. Ai punonte në Tiranë në një shkollë teknike të themeluar nga një amerikan, Harri Fulc [Harry Fultz], që ishte edhe drejtori i saj. Mysliman sunit i bindur, Kadaja ishte edhe një kërkues shpirtëror. Ai kish hyrë në kontakt me shumë tarikate apo urdhra myslimanë sufi mjaft të përhapur në Shqipëri. Kureshtar nga natyra, Osman Kadaja mësoi për herë të parë për ekzistencën e Besimit Bahá'í, duke lexuar artikullin e Enciklopedisë Britanike "Bahá'izmi". Ai u habit kur mësoi se Mehdiu që pritnin myslimanët sunitë (ose Imami i Fshehur për myslimanët shiitë), ishte kthyer në personin e një tregtari të ri pers nga Shirazi, që quhej Sijid Ali Muhamet [Siyyid Alí-Muhammad] i mbiquajtur Báb-i. Ky kishte lindur më 1819 në Shiraz dhe e deklaroi Misionin e vet më 1844. Ai u pushkatua më 1850 për shkak të trazirës që provokoi në gjirin e popullsisë persiane Mesazhi i Tij. Ai kishte ardhur si Shën Gjon Pagëzori, pararendësi i Jezusit, për t'i përgatitur njerëzit për shfuqizimin e dispensacionit islamik dhe lindjen e një revelacioni të ri hyjnor, bartësi i të cilit do të ishte Bahá'u'lláh-u. Ai u shpall heretik dhe u akuzua se nxiste një revolucion politik, nga ulematë e kohës së Tij, të cilët në të vërtetë kishin frikë se mos humbisnin ndikimin e tyre mbi besimtarët. Njëzet mijë Bábí (dishepuj të Báb-it) u torturuan dhe u vranë në vuajtjet më të tmerrshme që Persia dekadente mund të ushtronte në shekullin e dinastisë Kaxhar. Osman Kadasë i bëri përshtypje të madhe ajo që lexoi. Në atë kohë, ka shpjeguar ai më vonë, kur mbreti i ardhshëm Zog u kthye nga Jugosllavia, ku kishte shkuar për të kërkuar aleatë që të përmbyste qeverinë e priftit ortodoks Fan Noli, Osman Kadaja ishte nxënës i një hoxhe. Ai i tregoi Hoxhës për zbulimin e tij. Ky, kujton ai, i deklaroi Osmanit se Besimi Bahá'í dhe sekti Ahmadie (i vendosur jo shumë kohë më parë në Tiranë), të cilat ai i vinte në të njëjtin plan, ishin fe shumë të këqia. Suniti i shpjegoi atij se myslimanët prisnin dy lajmëtarë, Mehdiun dhe Krishtin (ose Josifin). Kur këta dy persona të shfaqeshin, thoshte ai, Islami do të vendosej në mbarë botën. Kadaja, padyshim, vuri re se, pa dashur, shpjegimi i hoxhës përkonte tamam me fillimet e historisë Bahá'í dhe se Báb-i s'mund të ishte veçse Mehdiu ndërsa Bahá'u'lláh-u kthimi i Krishtit ose i Josifit, që pritej sipas Shkrimeve të shenjta. Që nga ky çast ai vendosi të hynte në lidhje me Bahá'í-të. Ai pati fatin të takonte në atë kohë një Bahá'í të famshme amerikane dhe gazetare të njohur, Marta Rut [Martha Root]. E cilësuar në historinë e Besimit Bahá'í si "kasnece e Kauzës së Perëndisë" për shkak të veprimtarisë së saj të palodhur në shërbim të kësaj feje, ajo vizitoi shumë vende, mësoi personalitete të larta, ndër to Mbretëreshën Maria të Rumanisë, e cila u bë Bahá'í. Marta Rut ndërmori në vitin 1929 një udhëtim të gjatë që duhej ta çonte nga vendet e Lindjes drejt Azisë. Udhëtimi i saj përfshinte një ndalesë në Shqipëri, të cilën ajo e vizitoi dy herë, herën e parë nga fundi i muajit gusht 1929 dhe herën e dytë më 1933. Kalimi i saj i parë u shënua nga takimi me Mbretin Zog dhe familjen e tij, të cilit ajo i paraqiti Besimin Bahá'í. Gjatë qëndrimit të saj të parë, ajo vizitoi bibliotekën e Tiranës dhe shkollën amerikane të Fulcit, ku pikërisht punonte Osman Kadaja. Ky pati rastin të dëgjonte fjalën që Marta Rut u ftua të mbante atë ditë, por nuk pati rast të bisedonte personalisht me të. Megjithatë Marta Rut i la një revistë për Besimin Bahá'í, të cilën ai e lexoi me etje të madhe. Atëherë Osman Kadaja hyri në korrespondencë me Klaudio Kolis [Claudio Collis], një Bahá'í nga Londra, që e ndihmoi të saktësonte njohuritë për fenë e re. Osmani i shkroi një letër Shoghi Effendiut. Për fat të keq, të gjitha letrat e tij janë vjedhur. Veç tij, duket se nuk ka pasur aderime të tjera të njohura në Besimin Bahá'í në atë kohë falë qëndrimit të Marta Rut. Osman Kadaja ka deklaruar gjithnjë se ai ishte Bahá'í i parë shqiptar dhe se ai e kish njohur Besimin Bahá'í para Refo Çaparit. Osmani, edhe pse i interesuar në Besimin Bahá'í, nuk kishte megjithatë zellin fetar të Çaparit dhe përkushtimi i tij ndaj kësaj kauze nuk ishte në shkallën e atij të Refo Çaparit. Ai, me sa duket, nuk ka kryer asgjë të rëndësishme të njohur deri më sot për Besimin Bahá'í. Për këtë arsye ai nuk mori titullin e Bahá'í-t të Parë Shqiptar, sepse ky titull nuk varet nga renditja në kohë e shfaqjes së Bahá'í-ve në një vend, por nga shërbimet e vërteta të kryera në rrugën e Perëndisë që kanë ndihmuar fenë e Bahá'u'lláh-ut. Osmani tregonte shpesh se Refo Çapari, pasi u kthye në Shqipëri, vinte ta takonte në shtëpinë e tij. Ai nuk qëndronte kurrë në një vend, por vente e vinte midis Korçës e Tiranës, vazhdimisht shumë i zënë duke i dërguar korrierë, revista e të reja Shoghi Effendiut. Një herë, ka treguar ai, Refo Çapari ishte i Mirzatur sepse nuk kishte marrë një letër të Shoghi Effendiut. Duket, pra, se deri në ç'pikë punonte Refoja për këtë kauzë. Qenia e një Bahá'í shqiptar në Tiranë dhe kalimi i Marta Rut-it në Shqipëri, duket se janë farat e para të kësaj feje të re, të hedhura në vend. Edhe shtypi lokal i bëri jehonë më 1929 ardhjes së Marta Rut-it dhe përkatësisë së saj në Besimin Bahá'í, madje duke premtuar të thotë më shumë herën tjetër. Ky premtim u mbajt vitin tjetër nga gazeta "Demokratia", që botoi më 20 shtator 1930 artikullin e parë të madh shqiptar të njohur edhe sot për "Behaizmin". Artikulli jep një paraqitje të gjatë të linjave kryesore të Besimit Bahá'í. Autori, që ka nënshkruar me inicialin "V", përmend Refo Çaparin që në radhët e para të artikullit. Ai shkruante: "Në 'Albania', një gazetë italo-shqiptare të botuar në Nju-Jork, Z. Piero Skalione [Piero Scaglione], autor i një "Historie të shqiptarëve të Italisë", ka shkruar se Z. Refo Çapari, ish-anëtar i një shoqate fetare, përpiqet të verë në praktikë parimet e Behaizmit". Është e qartë, pra, se Refo Çapari ka bërë shumë shpejt të njohur përkatësinë e tij në këtë fe të re, përmes shtypit shqiptaro-amerikan, të cilit ai vetë i kishte shërbyer besnikërisht. Zelli i tij për përhapjen e besimit të tij të ri mund të vihet re tashmë. Refo Çapari kishte, pra, motive të shëndosha për t'u kthyer në vendin e tij. Osman Kadaja ishte Bahá'í dhe jetonte në Tiranë. Marta Rut kishte kaluar këtej dhe kishte folur për Besimin me gazetarët, madje edhe me sovranin, që e kish pritur mirë. Plot dëshirë për t'i shërbyer Shoghi Effendiut, Refoja mori rrugën e kthimit, pasi kish qenë për një kohë të gjatë emigrant. Kthimi në Mbretërinë e Shqipërisë Më 28 prill 1931, Refo Çapari u vendos në Tiranë, kryeqytetin e Mbretërisë së re të Shqipërisë (që nga 1 shtatori 1928), nën sundimin e Zogut I. Shqiptar me prejardhje nga fisi i Matit në veri të Shqipërisë, Ahmet Zogu kish arritur të ngjitej në krye të pushtetit pas një periudhe të gjatë trazirash politike. I kritikuar ashpër si tradhtar nga historiografia komuniste e paskomuniste, ai qe, pavarësisht nga metodat e tij autokratike, një nga të rrallët që themeloi një shtet të vërtetë shqiptar. Në vitet 30 vendi dukej politikisht më i stabilizuar nga ç'kishte qenë ndonjëherë. Hapja e Mbretit ndaj Perëndimit dhe dëshira e tij për modernizim lajmëronte një epokë mirëqenieje e optimizmi, që pushteti i tij personal, krejt lindor, megjithatë e zbehte. Shqipëria ishte një vend me popullsi të shumtë fshatare e fare pak të shkolluar. Qeveria e Zogut, me ndihmën e kredive të huaja, iu përvesh punës për përmirësimin e kënetave të bregdetit, ku bënte kërdinë malaria, për ndërtimin e godinave të para administrative të stilit italian, që edhe sot akoma përbëjnë bukurinë e kryeqytetit, për çarmatosjen e malësorëve të veriut dhe për të krijuar pak më shumë stabilitet.5 Ndërsa në vend u kryen ndryshime pozitive, Shqipëria po zhytej gjithnjë më shumë në borxhe dhe kërcënimi nga ana e Italisë musoliniane dita ditës shtohej. Por në atë kohë Refo Çapari kishte preokupacione të tjera. Në një prej letrave të tij drejtuar Shoghi Effendiut (në datën 8 qershor 1931), ai përmend vendosjen e tij në Tiranë dhe shtangien e disa miqve e të familjes për kthimin e tij. Kur imigrimi në Shtetet e Bashkuara ishte një ëndërr për të gjithë, të afërmit e tij nuk arrinin ta kuptonin si ai kishte vendosur vullnetarisht të kthehej. Një kushëri i Refo Çaparit, Hasan Çapari, i kujton edhe sot e kësaj dite përshtypjet që la te rrethi i tij kthimi i Refos: "Gjithë familja jonë dhe të njohurit tanë e kuptonin se ai ishte kthyer me mendime të tjera, se ai kish përqafuar një fe, Besimin Bahá'í, që e kish njohur në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte besimtar dhe donte ta përhapte këtë Besim në Shqipëri. Ai ishte i vetmi Bahá'í i familjes, sepse feja myslimane kishte një traditë shumë të fortë në Çamëri". E ëma e Hasanit nuk pushonte së përsërituri gjatë viteve të fëmijërisë së këtij të fundit se "Refo Çapari ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara me një fe të re", për të cilën, sidoqoftë, ajo kish arritur të ndiente një respekt të madh. Refo Çapari banoi në fillim në një dhomë hoteli në Tiranë. Ai priste një përgjigje të favorshme për një punë shtetërore në arsim, siç e shpjegon në letrat e para drejtuar Shoghi Effendiut. Për të mos humbur kohë, ai iu përvesh punës për përkthimin e librave Bahá'í në gjuhën shqipe, që e kish filluar qysh në vitet 1926-1927, kur ende nuk ishte Bahá'í. Në fakt nuk kishte asnjë literaturë Bahá'í në këtë gjuhë. Kjo punë do të bëhej vetë qëllimi i jetës së tij. Të afërmit çuditeshin me këmbënguljen e tij. Ka të ngjarë që në hotelin ku rrinte, Refoja takoi Xhevdet Dodën, kunatin e tij të ardhshëm. Ata u bënë miq dhe Xhevdeti i propozoi të vendosej në shtëpinë e familjes së tij, ku jetonte nëna e tij Fetija, motra e tij Fiqrija, një vejushë që kishte dy vajza të vogla nga një martesë e mëparshme. Refo Çapari duhet të jetë martuar shpejt me Fiqrijen, sepse një foto, sipas gjasës e vitit 1933, tregon Marta Rut-in në krah të familjes së re të Refos e të gruas së tij, shtatzënë me fëmijën e tyre të parë. Fiqrija dhe nëna e saj u bënë Bahá'í, po kështu dhe dy vajzat e vogla, Myvedati e Myrveti. Myrvet Çani është e vetmja Bahá'í që ka njohur Osman Kadanë, e cila ka mbijetuar periudhën komuniste. E shoqja e Refos kishte një vëlla tjetër, Xhemilin, i cili gjithashtu u bë Bahá'í. Përsa i përket Xhevdetit, ai ka qenë gjithnjë shumë i favorshëm ndaj Besimit Bahá'í, por u bë komunist dhe më vonë vdiq në kampin e përqëndrimit të Mathauzenit. Jeta e re e Refo Çaparit Pa e vonuar më tej, Refo Çapari filloi të përhapë Mesazhin Bahá'í midis bashatdhetarëve të tij. Në një letër të datës 10 qershor 1931, ai tregon se i mëson "Ikanin" (Kitáb-i-Íqán), Librin e Sigurisë të Bahá'u'lláh-ut, një prej veprave kapitale të Revelacionit të këtij Manifestimi, një të quajturi Mafuz Ali. Në nëntor të po atij viti, ai organizoi grupe studimi të Ikanit pjesërisht në gjuhën persiane, të përbërë nga nxënës e profesorë, ku parashtroi mësimet e themeluesit të Besimit Bahá'í për unitetin e Lajmëtarëve të Perëndisë dhe misionin e tyre respektiv në përshtatje me nevojat e shoqërive të epokës që ata vinë. Në kohën që kërkonte punë, ai i përmend Shoghi Effendiut refuzimin e njërit prej ministrave të qeverisë për t'i dhënë një vend pune, nën pretekstin se ai "bënte propagandë fetare", të cilit Refoja iu përgjigj me guxim: "Besimi i vërtetë nuk përdor propagandë, sepse tregon të vërtetën"! Në dhjetor, ai organizoi një darkë për dymbëdhjetë profesorë, të cilëve u foli për Besimin Bahá'í. Në të njëjtën kohë, Refoja përktheu një libër tjetër Bahá'í, "Përgjigje për disa pyetje", që u botua më 1933. Kjo vepër u drejtohet veçanërisht të krishterëve, sepse përmban një numër qëndrimesh të Besimit Bahá'í për çështje të rëndësishme të teologjisë katolike. Në shkurt të vitit tjetër, ai merret me përkthimin e veprës së Dr. Esslemontit "Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re". Ky libër, i përkthyer sot në disa qindra gjuhë, mbetet i vetmi manual i paraqitjes më të plotë të Besimit Bahá'í e të mësimeve të tij. Në mars 1932, Refoja mund të gëzohej tashmë se kishte shtypur kopjet e para të "Kitáb-i-Íqán", si dhe "Librin e Besëlidhjes" dhe "Detyrat që u takojnë Bahá'í-ve", dhe kish filluar të interesohej tani për shtypjen e librit të Esslemontit, që do të realizohej vetëm në prill 1933. Por përpjekjet e tij kërkonin mundim të madh për t'ia dalë mbanë. Refo Çapari kishte në fakt pak mjete financiare. Tërë puna që ai kryente me aq këmbëngulje bëhej me shpenzimet e tij. Të jesh "pionier" në Besimin Bahá'í nuk është njëlloj si të jesh "misionar" (katolik, ortodoks ose mysliman) i paguar nga një organizëm fetar që subvencionon edhe nevojat tuaja vetjake. Në Besimin Bahá'í vetë individi vendos t'i shërbejë Bahá'u'lláh-ut dhe t'i përkushtojë Atij atë që është në gjendje të japë. Duke qenë se Besimi Bahá'í nuk ka kler, përhapja e Mesazhit të Bahá'u'lláh-ut mbështetet vetëm mbi nismat individuale dhe të institucioneve. Veprimi i Refo Çaparit ishte, pra, i lavdërueshëm në sytë e komunitetit Bahá'í. Në letrat që i dërgonte Shoghi Effendiut, ai diskutonte shpesh për problemet e tij dhe sidomos për koston e shtypjes së këtyre veprave. Gjatë atij viti, Refoja kishte gjetur një punë të vogël si magazinier në spitalin civil, që ndodhej në periferi të Tiranës. Ai shpresonte se paga e tij e vogël do t'i lejonte të shtypte përkthimet që bënte. Jeta e tij kalonte midis punës në spital dhe veprimtarive të tij mësimore e të përkthimit. Në vitin 1932, Refo Çaparin e vizitoi një Bahá'í amerikan, Dr. Houard Karpëntë [Howard Carpenter], i cili vlerësoi përpjekjet e lavdërueshme të Refos. Shërbimet e Refo Çaparit për Kauzën nuk ishin të lehta. Ai gjendej larg kryeqytetit dhe kjo, i shkruante ai Shoghi Effendiut, e pengonte të zhvillonte punën mësimore e t'i shërbente Kauzës ashtu siç donte ai. Ai përpiqej gjithmonë të kursente për të shtypur librat e tij. Më 1933, Refoja vazhdoi punën e tij të përkthimit dhe iu përvesh "Suresë së Hejkalit" [Surat-i-Heykal] dhe "Shtatë Luginave", një prej librave mistikë më të bukur të Bahá'u'lláh-ut, që përshkruan me një stil shumë poetik udhëtimin shpirtëror të çdo kërkuesi deri në luginën e asgjësimit në Perëndinë. Po atë vit, ai punoi mbi përkthimin e një vepre tjetër mistike të Bahá'u'lláh-ut, "Katër Luginat", mbi "Shpjegimin e Fjalës së Shenjtë", si dhe mbi një libër lutjesh Bahá'í e, më në fund, mbi "Tabelat e Shenjta të Bahá'u'lláh-ut" të përkthyera prej tij në Nju-Jork më 1926-1927. Takimi me Marta Rut Viti 1933 qe një vit i veçantë për Refon, të cilit i bëri vizitë Bahá'í-ja e gazetarja e famshme amerikane Marta Rut. Kjo mësuese e shquar e Besimit Bahá'í kishte ndërmarrë një udhëtim të gjatë, që do ta çonte larg drejt Lindjes, nga Hungaria për në Japoni, duke kaluar nga Jugosllavia, Shqipëria, Turqia, Egjipti, Palestina, Iraku, Irani, India, Birmania e Kina. Ajo punonte për dy revista të njohura "Reviews of Reviews" e "Pictural Review" dhe për një revistë Bahá'í "The Sun". Ajo u raportonte këtyre revistave për përshtypjet e saj të udhëtimit dhe përfitonte për të përhapur Mesazhin Bahá'í midis popullsisë vendase e personaliteteve të mëdha të vendeve që vizitonte. Marta Rut e bëri vizitën e saj të parë në Shqipëri aty nga fundi i muajit gusht 1929. Ajo kaloi këtu dy javë, që qenë veçanërisht të pasura, sepse pati nderin të pritej nga Mbreti Zog më 1 shtator 1929. Ajo raportonte kështu për takimin e saj me monarkun: "Kryeministri më tha të shkoja në Kanceleri në orën dhjetë. Në Kanceleri ishin nëntëmbëdhjetë zonja, të afërme të Mbretit... Kur unë hyra në dhomë, ai që kryente detyrën e Kryetarit më prezantoi mua si Bahá'í. Unë u fola disa fjalë këtyre zonjave dhe ato iu përkthyen atyre... Nuk do t'i harroj kurrë ato çaste. Ai (Mbreti) ishte në sallonin e pritjes, i veshur me uniformën e tij ushtarake, dhe ministrat qëndronin pranë tij në gjysmë rrethi. Ata ishin të veshur me kostume të zeza zyrtare. Kur shtrëngova dorën me të, i thashë në gjuhën shqipe përshëndetjen e tyre "Besa-besën". Kjo do të thotë "Ju betohem për besnikërinë time". "Ne kaluam një orë shumë të këndshme dhe pastaj shkuam me vetura të mëdha ... në Pallatin Mbretëror", ku ajo takoi nënën e mbretit, e cila duket "kaq e njerzishme dhe e mirë si një madona nënë e botës", dhe pesë motrat e tij. Marta Rut ishte personalisht shumë entuziaste për pritjen e saj në oborrin e Mbretit Zog, siç mund ta shohim nga kujtimet që ka lënë. Sigurisht, kjo nuk na sqaron për të kuptuar vlerësimin e vërtetë të Mbretit e të familjes së tij për Besimin. Ne nuk dimë me saktësi se ç'mendonte realisht ai lidhur me fenë Bahá'í. Megjithatë, Marta Rut ishte e gëzuar sepse ia arriti qëllimit të saj për t'i paraqitur Besimin monarkut shqiptar. Ajo nuk dëshironte të ndikonte tek ai. Misioni i saj ishte t'i shpallte Besimin botës dhe reagimi pozitiv ose negativ i sundimtarëve të botës ndaj Mesazhit të Bahá'u'lláh-ut është në varësi të përpjekjeve e të përgjegjësisë së atyre vetë. Në qoftë se ata tregojnë mjaft përunjësi për të marrë në konsideratë Mesazhin që u është dërguar, Perëndia do t'i udhëheqë ata, por asnjë qenie njerëzore nuk mund të pretendojë se ka fuqi të ndikojë mbi ndonjë shpirt. Çdo Bahá'í është thjesht një lajmëtar. Bahá'í-të kanë përgjegjësinë të informojnë njerëzimin lidhur me Revelacionin e ri hyjnor. Në qoftë se dëgjuesi nuk do që t'i hapë veshët, ata kanë për detyrë të kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë dhe ta lënë atë person të qetë. Ata duhet ta mbështesin besimin e tyre vetëm te Perëndia. Këtë Marta Rut e kishte kuptuar mirë, prandaj u përqëndrua në aspektet pozitive të takimit të saj me Mbretin e Shqipërisë. Pas takimit të saj të paharruar me mbretin, Marta Rut e kaloi kohën tjetër duke përhapur në mënyra të ndryshme Mesazhin Bahá'í. Ajo vizitoi disa herë bibliotekën dhe paraqiti libra Bahá'í. Ajo bëri gjithashtu një vizitë në Shkollën e Fulcit (shkollë amerikane), ku takoi Osman Kadanë, historikisht Bahá'í-në e parë shqiptar. Gruaja amerikane u kushtoi një pjesë të madhe të kohës së saj kontakteve me disa gazeta të mirënjohura dhe bërjes së deklaratave para gazetarëve, në të cilat nuk mungoi asnjëherë të fliste për Besimin Bahá'í. "Gazeta e Re" përmendëte më 3 shtator vizitën e saj në Shqipëri përmes një artikulli të vogël me titullin: "Një edukatore inglize në Shqipëri". Me sa duket, aty gjejmë përmendjen e parë të fesë Bahá'í në Shqipëri: "... Zonja Root merret sidomos dhe me Behaismën, që është një lëvizje fetare që ruan vetëm pjesën e perëndishme të të gjitha feve...". Një gazetë tjetër e quajtur "Demokratia", që botohej në Gjirokastër, në datë 7 shtator, duke iu referuar gazetës së lartpërmendur "Gazeta e Re", thoshte se ajo është një nga Bahá'í-të më të famshëm në Angli dhe se ajo punon për shumë gazeta të mirënjohura. Artikulli jep një paraqitje të gjatë të Besimit Bahá'í e të historisë së tij, që jo vetëm është shumë e saktë, por edhe shumë pozitive. Kjo tregon se Marta Rut ka biseduar mjaft me gazetarët dhe ka përhapur në mënyrë shumë intensive Mesazhin Bahá'í. Artikulli përfundon me fjalët se "pas ca kohe, kurdo që gazeta do të ketë vend, do të botohen disa studime për Behaizmin". "Shqipëria e Re" gjithashtu botoi më 15 shtator 1929 një artikull të gjatë në frëngjisht për Marta Rut, me titull "Një vizitë që na pëlqen". Si botuesit të "Shqipërisë së Re" dhe atij të "Gazetës së Re" u kishte lënë përshtypje të thellë gazetarja e famshme Marta Rut dhe vlerësonin komentet e saj pozitive për bukuritë natyrore të vendit e për mikpritjen e popullit shqiptar, pikëpamje kjo që, sipas tyre, nuk e përkrahnin gazetarë të tjerë të huaj. Kjo tregon se Marta Rut e kuptoi shumë shpejt mendësinë e shqiptarëve dhe e dinte mirë se ç'duhej thënë për të fituar besimin e tyre. Vizita e saj e dytë në Shqipëri u bë në qershor 1933 dhe zgjati vetëm pesë ditë. Pikërisht gjatë saj ajo takoi Refo Çaparin, që i la një përshtypje të thellë. Ajo shkruante lidhur me të: "Bahá'í shqiptar i devotshëm që është kthyer nga qyteti i Nju-Jorkut për të jetuar në Tiranë e për të mbështetur Kauzën". Ajo vizitoi shtëpinë dhe familjen e tij, me të cilën bëri të vetmen fotografi që ne kemi nga Refo Çapari. Vizitoi gjithashtu shtëpitë e miqve të Refos dhe punuan bashkë shumë për Besimin. Ajo përtëriu kontaktet e saj me gazetarët. Gazeta "Besa" shkruante (më 22 qershor) për ardhjen e një gazetareje amerikane në Tiranë, e cila bëri një vizitë në bibliotekën "Për Djelmënin", ku sipas gazetës ajo la shumë libra Bahá'í dhe premtoi të mbështesë këtë institucion. Ne me të vërtetë kemi gjetur më vonë disa libra në Bibliotekën e vjetër Kombëtare të Tiranës, por të gjitha ato nuk janë nga Marta Rut. Ishte një botim i Fjalëve të Fshehura i vitit 1926, një kopje e "Bahá'í World" [Bota Bahá'í] 1926-1928 dhe "Discorsi di 'Abdu'l-Bahá" ["Bisedat e 'Abdu'l-Bahá-it" në italisht]. Dy librat e fundit përmbanin informata interesante për historinë e Besimit Bahá'í në Shqipëri, sepse kopja e "Bahá'í World" ishte dhuruar e firmuar nga një person i quajtur Miss Elena Trayan, më 14 nëntor 1933. Ajo me siguri e njihte Marta Rut-in. Libri "Discorsi di 'Abdu'l-Bahá" ishte dhuruar nga Z. Koço Semini. Këta persona duhet të kenë qenë Bahá'í, edhe pse nuk janë përmendur ndonjëherë në letërkëmbimin e Refo Çaparit me Shoghi Effendiun lidhur me komunitetin e ri Bahá'í shqiptar të asaj kohe. Ne gjetëm gjithashtu një kopje të "Bahá'í World" 1938-1938, që i ishte dhënë Refo Çaparit nga një person që me sa duket quhej Emma Lynch6 (një i huaj ose e huaj Bahá'í që vizitonte Tiranën?), sepse kishte shenja të dorëshkrimit të tij. Ka gjithashtu një kopje të "Bahá'í Magazine" Nr. 2, vëll. 24, të majit 1933, që përmban një artikull të Marta Rut. Duket ishte dhuruar prej saj. "Gazeta Shqiptare" (e datës 21 qershor) jep informacionin më interesant lidhur me të: "Ka urdhëruar në Kryeqytet nër këto dit zonjushë Martha L. Root, korrespondente e fletoreve amerikane "The Sun" e "The Star of the West". Zojusha Root ka qenë në Shqipëri dhe katër vjet më parë e ka shkrojtur përshtypjet e saja nër gazetat që përfaqëson. Veç cilësis si gazetare e përmendur, është edhe konference e fesë së re Bahá'í". Marta Rut e përballoi edhe një herë sfidën! "Çdo njeri në Tiranë e dinte se unë isha Bahá'í", shkruan ajo në kujtimet e saj. Falë saj e Refo Çaparit, brezi i ri i Bahá'í-ve shqiptarë mund të pretendojë sot për "rrënjët" historike të fesë së tyre në Shqipëri. Para largimit, ajo premtoi se "do të kthehej e do të mësonte dervishët bektashinj dhe popullin shqiptar lidhur me Revelacionin Bahá'í". Më 1933 Refo Çaparin e vizituan miq të tjerë Bahá'í, Howard dhe Mirzaje Harmon, që udhëtonin për në Haifa për haxhillëk. Komuniteti i parë Bahá'í shqiptar Me punë e këmbëngulje, Refo Çapari arriti të krijonte një komunitet të vogël Bahá'í. Në një letër të Shoghi Effendiut të datës 19 dhjetor 1931, drejtuar një besimtari, Ruajtësi përmend mundësinë e krijimit së shpejti të një Asambleje Shpirtërore Lokale në Shqipëri e në Bullgari, falë veprimtarive përkatëse të Refo Çaparit e të Zonjushës Jack. Asambleja Shpirtërore Lokale është një njësi e vogël administrative e cila përfshin nëntë Bahá'í-nj, që drejtojnë tërësinë e jetës së komunitetit të një qyteti. Kriji i i një Asambleje Shpirtërore Lokale është parë gjithmonë nga Bahá'í-të si një sukses i pamohueshëm në shërbim të Kauzës së Bahá'u'lláh-ut. Kjo njësi administrative ekziston gjithashtu në nivel kombëtar e në nivel ndërkombëtar, ku mishërohet nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, e përbërë prej nëntë anëtarësh e me seli në Haifa. Në kohën e Shoghi Effendiut, kjo ende nuk ekzistonte. Pas vendosjes në Shqipëri, Refo Çapari kishte arritur në më pak se gjashtë muaj pikërisht të krijonte një grup prej tetë Bahá'í-sh shqiptarë, që bashkë me atë vetë bëheshin nëntë. Megjithatë Shoghi Effendiu këshilloi që të mos formohej një Asamble Shpirtërore Lokale, në pritje që besimtarët e rinj të rrënjoseshin më shumë në Besimin dhe që aderentë të rinj të bashkoheshin me ta. Ky grup i vogël Bahá'í-sh shqiptarë përbëhej vetëm prej burrash, ndër të cilët tre profesorë të rinj. Nuk dihet nëse kjo shifër përfshinte Osman Kadanë, por sidoqoftë nuk përfshinte anëtarët e familjes së Refo Çaparit, qoftë gruan qoftë vjehrrën e tij. Ndoshta Refo Çapari thjesht nuk ishte martuar ende në kohën që shkruante Shoghi Effendiu. A përfshihej në atë shifër edhe studenti shqiptar Koço Semini, që i kishte dhuruar një biblioteke shqiptare një libër mbi bisedat e 'Abdu'l-Bahá-it? Nuk e dimë. Në një letër të datës 19 gusht 1933 që i dërgonte Shoghi Effendiut, Refoja përmend ekzistencën e një miku profesor, Mehmet Vokshi, që përqafoi Kauzën e Bahá'u'lláh-ut në Shqipëri. Padyshim, është fjala për njërin nga tre profesorët e përmendur më lart. Refo Çapari thotë për të se "ishte një Bahá'í i sinqertë e i vërtetë dhe se ai po përgatiste hyrjen për përkthimin e librit "Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re". Kërkimet e bëra në arkivin e shtetit shqiptar lejuan të zbulohen dy letra të Mehmet Vokshit, të cilat na informojnë për gjendjen e tij. Ato janë të vitit 1934. Është fjala për dy kërkesa të dërguara nga profesor Vokshi Parlamentit Shqiptar në Tiranë për të rivendosur postin e tij në arsim, që ishte suprimuar. Ai punonte pranë "Entit Kombëtar Djelmëria Shqiptare". Padyshim ishte fjala për bibliotekën "Për djelmënin" (ose për një institucion të lidhur me të), që Marta Rut e kishte vizituar. Duke pasë qenë në arsim në fillimet e tij, Refoja ka mundur të kishte kontakte me lehtësi me profesorë dhe t'u mësonte atyre Besimin. Padyshim kjo është arsyeja për të cilën pas vendosjes së tij në Shqipëri ai nuk pati më vend në arsim dhe, megjithë kulturën që kishte, iu desh të kënaqej me ndonjë punë të vogël. Refoja përmend gjithashtu dy persona të tjerë, Z. Boltion dhe Z. Grigor, lidhur me të cilët i ka shkruar Shoghi Effendiut: "Jemi shumë të lumtur për zotërinjtë Boltion e Grigor, të cilët me siguri janë të favorizuar e të prirur të bëhen shërbëtorë të zjarrtë të Pragut tuaj të shenjtë". Por, shtonte ai, "Vetëm gjendja ime financiare më pengon e më vonon që të mbaj gjithnjë e më shumë në lidhje me ta e me njerëz të tjerë që kanë shfaqur prirje të zellshme ndaj Kauzës së Shenjtë". Refoja, në fakt, kishte çdo ditë e më shumë vështirësi financiare. Rroga nuk i ishte paguar nga qeveria prej një kohe të gjatë. Ai madje i shkruante Shoghi Effendiut se kishte qenë i detyruar të merrte para borxh për të postuar letrën që i dërgonte. Kjo tregon se deri në ç'pikë gjendja e tij financiare ishte problematike. Rezervat e pakta që kishte, Refo Çapari ia kushtonte botimit të përkthimeve të tij. Kështu, ai njoftoi Shoghi Effendiun se "Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re" u botua, se 49 kopje u nisën menjëherë dhe se kopja e 50-të i kushtohej Shoghi Effendiut. Më 3 shtator 1933, Refo Çapari u mbart dhe u vendos në një shtëpi që ishte më afër punës së tij, e cila gjithashtu ndryshoi në shtator 1933. Ai i shkroi Ruajtësit se ishte duke përgatitur një dhomë si librari për "qendrën" Bahá'í që kishte ndërmend të realizonte. Duket se Refo Çapari u nis në atë kohë për haxhillëk në Haifa (Izrael), ku kishte selinë Ruajtësi i Besimit dhe ku gjendeshin varret e Bahá'u'lláh-ut, të Báb-it e të 'Abdu'l-Bahá-it. Një letër e Refo Çaparit të bën ta besosh në fakt këtë, sepse ai shkruante: "Duke menduar për Ditën kur Duart tuaja të Shenjta më dhanë trëndafilin në kopshtin e Mauzoleut". Kjo duhet të ketë qenë diçka e jashtzakonshme për Refo Çaparin, i cili ndjente një devotshmëri aq të madhe për Ruajtësin e Kauzës Bahá'í. Ai mori, padyshim, akoma më shumë konfirmime e inkurajime për të vazhduar punën e tij. Duhet thënë se pjesa më e madhe e përgjegjësive të Besimit vazhdonte të mbështetej mbi supet e Refo Çaparit. Miqve të rinj Bahá'í u duhej kohë për t'u thelluar në Besimin e Ri e për t'u përgatitur për sakrifica personale, të cilave u nënshtrohej me gjithë zemër Refoja. Të paktën këtë lë të nënkuptohet një vërejtje e Refo Çaparit në një letër të datës 26 nëntor 1934 drejtuar Ruajtësit, ku ai shpjegonte lidhur me miqtë Bahá'í: "ata nuk e kuptojnë dot plotësisht sakrificën materiale...". Ruajtësi, në një letër të datës 4 tetor 1933 drejtuar një besimtari, lëvdonte shërbimet e mëdha të kryera nga Refo Çapari në Shqipëri, si dhe nga Bahá'í-nj të tjerë të vendosur në vendet fqinjë. Kështu, ai shkruante: "Veçanërisht të shquara kanë qenë përpjekjet si pionierë të Zonjushës Root, të Zonjushës Jack, të Zonjës Gregory dhe të Zotit Çapari, që kanë arritur të tërheqin në Besimin shumë njerëz dhe të kenë kontakte të rëndësishme me personalitete shtetërore, shkrimtarë, bibliotekarë e studiues të tipeve të ndryshme". Transferimi në Gjirokastër Gjatë vitit 1934, Refo Çapari u transferua në Gjirokastër, duket sepse u mor me sy të keq nga qeveria për shkak të bindjeve të tij fetare dhe të veprimtarive të tij në shërbim të Besimit. Mbreti në pushtet, besimtar ose jo, dhe njerëzit e tij ishin me origjinë myslimane sunite dhe përkatësia fetare ishte në atë kohë trashëgim i një tradite familjare që nuk mohohej. Refoja pa humbur kohë iu përvesh shërbimit të Kauzës në Gjirokastër. Pasi ishte njohur me një armen shqiptar, Dr. Morkavionin ose Markovianin nga Tirana, ai kërkoi një kopje të "Bahá'u'lláh-u dhe Epoka e Re" në gjuhën armene, që ia transmetoi mikut të tij të ri, i cili u tregua i interesuar për Besimin Bahá'í. Në prill 1934, ai pati një bisedim për një post drejtori biblioteke, gjë për të cilën kërkoi këshillën e Shoghi Effendiut. Në maj 1934, i raportoi Shoghi Effendiut rezultatet e projektit të tij mësimor me ulematë e Gjirokastrës e besnikët e tyre, me të cilët studioi Tabelën e Ahmadit, që është një lutje e fuqishme e Bahá'u'lláh-ut në rast vështirësish. Refo Çapari mori një përgjigje pozitive nga ana e myslimanëve. Në të njëjtën kohë, Refoja punonte për përkthimin e katër teksteve të reja. Në nëntor të po atij viti, pa mikun e tij profesor Mehmet Vokshin të vendoset në Gjirokastër. Duke qenë së bashku, ai do të ishte edhe më aktiv. Ai arriti, në fakt, në dhjetor 1934 t'i dërgonte 50 kopje të Kitáb-i-Íqán Ruajtësit dhe 50 të tjera në korrikun e vitit tjetër, kur nga ana e vet mori material mësimor të Komitetit Botues të Nju-Jorkut. Më 1935 gjendja politike e Shqipërisë po keqësohej. Mbreti kishte shtypur një revoltë komuniste dhe kjo çështje ngjallte shqetësime te Refoja, që i kërkoi Shoghi Effendiut të bënte lutje për vendin e tij. Ne nuk dimë me saktësi i ç'natyre ishte shqetësimi i Refo Çaparit lidhur me këtë ngjarje. Ndoshta ai i trembej një forcimi të metodave diktatoriale të monarkut, ose ndoshta i trembej zhvillimit të një lëvizjeje komuniste në Shqipëri në të ardhmen, siç ndodhi në të vërtetë. Në qoftë se është kështu, shqetësimet e tij mund të kenë qenë paralajmëruese dhe mund të përshëndetet këtu shpirti vizionar i Refo Çaparit. Atëherë Refoja mori iniciativën t'i shkruante letër Mbretit Zog për t'i shprehur shqetësimin e tij për fatet e Shqipërisë dhe për t'i parashtruar Mësimet Bahá'í si bar shpëtimtar nga sëmundjet e vendit. Fatkeqësisht kjo letër nuk është gjendur, po ashtu dhe përgjigja që i dërgoi Mbreti Zog, një kopje e së cilës iu nis Ruajtësit. Më 1936, Refoja i kërkonte Shoghi Effendiut të lutej për të, që ai të bëhej një "shërbëtor i devotshëm". Kush më mirë se Ruajtësi i Kauzës mund të dëgjohej nga Bahá'u'lláh-u e të frymëzonte shpirtrat e besimtarëve! Çdo besimtar duhet të përparojë shpirtërisht, sepse në fushën shpirtërore në qoftë se nuk përparon shkon prapa. Dija shpirtërore nuk është, në fakt, si dija shkencore. Mësimet që kemi mësuar mund të mbeten në kujtesën tonë, por frytet e shërbimit tonë dhe njohja e Perëndisë që ka dalë nga kjo fshihen në qoftë se nuk e kemi mendjen. Qoftë edhe krenaria më e vogël i redukton ato në hiç. Zemra njerëzore në fakt zë kollaj një shtresë pluhuri të zi të kësaj bote, në qoftë se nuk e pastron atë rregullisht. Shërbimi që i bënte Refo Çapari Besimit ishin i vetmi mjet me anën e të cilit një besimtar mund të rritet, sepse lutjet pa veprim nuk kanë vlerë dhe veprimi ynë në këtë botë ndikon mbi jetën tonë shpirtërore në botën tjetër. Shërbimi përfshin shkëputjen, nënshtrimin, përvuajtjen, qetësinë e shpirtit. Vetitë shpirtërore përbëjnë në fakt të vetmin bagazh që njeriu merr me vete në jetën tjetër. Në qoftë se veprimi ynë ka qenë i dobët në këtë botë, kjo do të ndiehet në botën tjetër. Jo se do të jemi të dënuar në ferr. Ferri dhe parajsa nuk ekzistojnë, por janë thjesht gjendje shpirtërore. Sa më shumë ne zhvillojmë veti shpirtërore, aq më shumë i afrohemi Perëndisë dhe jemi të armatosur për të shërbyer edhe në botën tjetër. Shërbimi i lejon njeriut të arrijë rangun e pozitën shpirtërore të caktuar nga Perëndia për çdo individ. Mirësitë shpirtërore që ne fitojmë falë devotshmërisë sonë vlejnë më shumë se të gjitha thesaret e tokës, shkruan Bahá'u'lláh-u. Kjo botë është kalimtare dhe e rreme "si avulli i ujit në shkretëtirë", thotë gjithashtu Ai, por veprat shpirtërore janë të përjetshme. Kështu mund të kuptohet kërkesa e re e Refo Çaparit drejtuar në vitin 1937 Shoghi Effendiut, që ky ta orientonte për të kuptuar se ç'është "dëlirësia, pastërtia dhe sjellja që lidhet me të". Ai i bëri Ruajtësit edhe nëntë pyetje lidhur me sqarimin e disa teksteve të Shkrimeve Bahá'í. Pa lexim të përditshëm dhe thellimin e besimtarit përmes studimit të shkrimeve të themeluesit, ky sheh që flaka e besimit të tij pak nga pak dobësohet derisa shuhet plotësisht. Pra, në mistikën Bahá'í është e rëndësishme të lutesh, të përsiatësh, të mësosh vetveten dhe të veprosh. Kjo përbën themelin e jetës shpirtërore të çdo Bahá'í. Gjatë vitit 1937, Refo përmendi emrin e një Bahá'í tjetër shqiptar, Sulejman Male, një veteriner nga Delvina. Ky përqafoi Kauzën nën ndikimin e Refo Çaparit. Por Sulejman Male donte të shkonte të jetojë me Bahá'í-të e Shteteve të Bashkuara dhe Refo Çapari i shkroi Ruajtësit për ta autorizuar dhe një Bahá'í-je amerikane, Anti Kler [Aunty Claire], në Nju Xhersi për ta informuar. Një dëshmi e thekshme është gjetur në arkivat Bahá'í lidhur me ekzistencën e mëtejshme të Sulejman Males. Një Bahá'í italian, Dr. Ugo Xhakeri [Ugo Giachery] përmend, në fakt, në një letër të datës 21 korrik 1948, historinë tragjike të këtij Bahá'í pas vdekjes së Refo Çaparit: "Më duhet ta ndërpres shkrimin e kësaj letre, sepse na vizitoi i vetmi Bahá'í shqiptar që ka mbijetuar, i cili ka qenë internuar në shumë kampe të Personave të Shpërngulur, për më se katër vjet. Ai është duke kaluar nga Roma gjatë rrugës për në një kamp tjetër afër Napolit. Jeta e tij ka qenë një tragjedi, por besimi i tij është i patundur. Është për të ardhur keq që ai nuk ka pasur asnjë ndihmë nga ana e miqve. Unë i kam shkruajtur për të Horës Holit [Horace Holley], por asgjë s'u bë. Ne po bëjmë atë që mundim, por ai ka nevojë për ndihmë; ai është i dobësuar e i veshur keq. Emri i tij është Sulejman Male". Refo Çapari në Korçë Më 25 mars 1938, Refo Çapari i shkruajti Shoghi Effendiut se ishte transferuar në Korçë. Nuk dihen arsyet që ai u detyrua përsëri të mbartet. Korça do të ishte vendi i fundit i transferimit të tij dhe vendi i fundit në të cilin Shoghi Effendiu mundi ta lokalizojë para se Refoja të vdiste. Vepra e tij në shërbim të Besimit u intensifikua më tej. Në mars 1938 ai mori deklaratën e aderimit në Besim të një shqiptari tjetër, Xhafer Bej Prezës, ish shef i policisë i Tiranës, dhe në muajin nëntor atë të Lutfi Bektashit, një dervish bektashí nga Tepelena. Refo Çapari e njihte Lutfi Bektashin që në Shtetet e Bashkuara, ky ku i fundit kishte studiuar e bënte pjesë në shoqatën "Vatra". Ishte njeri me kulturë që, sipas djalit të tij, Sadat Bektashit, njihte anglishten, greqishten, italishten dhe frëngjishten. Ai ka qenë nënprefekt në Konispol, Çamëri, avokat e pastaj gjykatës në Gjirokastër. Ishte i martuar dhe kishte shtatë fëmijë, nga të cilët vetëm njëri është sot Bahá'í. Lutfi Bektashi u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg më 1949. Nuk dihet cila ka qenë vepra e tij si Bahá'í. Pikërisht në Korçë Refo Çapari realizoi në korrik 1938 veprën e jetës së tij, redaktimin e një reviste Bahá'í, "Penda Sipërore", që është një ndër titujt e Bahá'u'lláh-ut. Duket se vetëm një numër i kësaj reviste u botua. Në këtë numër përfshihet një dëshmi e Mithat Frashërit, njeri politik e publicist i njohur, djalë i Abdyl Frashërit, për Besimin Bahá'í. Vizioni botëpërfshirës i Besimit, hapja e tij, misioni i tij si fe borërore, aspekti i tij mistik e social e interesonin aq shumë Mithat Frashërin saqë donte të ndërmerrte reforma fetare e shoqërore në Shqipëri sipas parimeve Bahá'í. Por cilatdo të kenë qenë projektet e Mithat Frashërit, ai nuk arriti t'i vinte në jetë ato, sepse u akuzua për bashkëpunim me fashistët italianë e nazistë, gjë që diskreditoi projektin e tij.7 Më 25 shtator 1939, Refo Çapari i shkroi Shoghi Effendiut lidhur me përpjekjet e tij për të mësuar Besimin dhe kërkoi sqarime për problemin e kryqëzimit të Krishtit. Letra e fundit e Refos mban datën 30 janar 1940 dhe nga ajo mësojmë se ishte gjithnjë në Korçë e se kishte marrë zyrtarisht përgjigjen e Kryetarit të Bashkisë për botimin e revistës së tij. Ai i shkroi gjithashtu Kryeministrit, që të merrte autorizimin e tij. Që nga kjo datë Refo Çapari u zhduk nga kronikat dhe Shoghi Effendiu nuk pati më lajme nga shërbëtori i tij besnik. Më 1939, Italia musoliniane pushtoi Shqipërinë dhe Mbreti Zog iku bashkë me të shoqen e me djalin e porsalindur. Shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, e cila trazoi edhe Shqipërinë. Refo Çapari e dërgoi familjen në Kosovë, por ai vetë qëndroi besnik në postin e tij të "pionierit" në Shqipëri. Meqenëse kontaktet me botën e jashtme u prenë, ai nuk mundi të informonte Bahá'í-të për gjendjen e tij. I sëmurë e pa para, ai vdiq më 7 shtator 1944. U varros në Korçë, ku ulematë i bënë nderime gjatë funeralit. Dyzet vjet më vonë, thjeshtra e tij Myrvet Çani solli trupin e tij në varrezat e Tiranës, ku ai prehet duke pasur dashurinë e të gjithë Bahá'í-ve shqiptarë. Sot komuniteti Bahá'í në Shqipëri numëron 15.000 Bahá'í-nj dhe ka dy qendra të mëdha në kryeqytet. Refo Çapari hodhi farën e Besimit në vendin e vet. Ai qe një shërbëtor i devotshëm, që nuk ngurroi të bënte me të vërtetë sakrifica për Bahá'u'lláh-un. Le të shërbejë shembulli i tij për formimin e për përkushtimin e brezave të rinj të Bahá'í-ve dhe le t'i nxisë ata të jenë pionierë ashtu siç qe Refo Çapari në mëmëdhenë e tij. Në librin "Besimi Bahá'í 1844-1944", të hartuar nga Shoghi Effendiu, Shqipëria përmendet si një nga vendet që u hap për Besimin pas ndërrimit jetë të 'Abdu'l-Bahá-it më 1921. Bibliografi: R. Garis, Martha Root Herald of the Cause, f. 316-321. "Brief Summary of the history of the Faith in Albania", rishikuar në mars 1994, nga Arkivat e Shtëpisë Universale të Drejtësisë në Haifa. Arkivi personal i Osman Kadasë. Shqipëria e Re, 15 shtator 1929, nr. 387. Gazeta e Re, 1929, nr. 253, 3 shtator, f. 3. Demokratia, Gjirokastër, 1930, nr. 268, 20 shtator, f. 3. Gazeta Shqiptare, Bari, 1933, nr. 147, 22 qershor, f. 1. Gazeta Besa, Tiranë, 1933, nr. 582, 22 qershor, f. 4. Demokratia, Gjirokastër, 1929, nr. 223, 7 shtator, f. 3. Revistat "Ylli i Mëngjesit", "Albania", "Përparimi". 1. Është fjala për frymën e mirëkuptimit e të bashkimit midis feve, që ka karakterizuar në shekuj shoqërinë shqiptare - shën. i përkthyesit. 2. Kjo shoqatë kishte edhe objektiva politikë. 3. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, nr. 106, bot. shqip, f.142. 4. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, nr. 131, bot. shqip, f.191. 5. Lidhur me figurën, politikën dhe veprimtarinë e Mbretit Zog; shih: Fischer, B. J., "King Zog and the Struggle for Stability in Albania" [Mbreti Zog dhe lufta për stabilitet në Shqipëri"], Boulder, Colo.: East European Monographs and Columbia University Press, 1984. 6. Emri nuk ishte shkruar mirë. 7. Gstrein Heinz, Walter Reiseführer, Walter Verlag, 1989, f. 88-89.